Corner Raporte

Raport mujor për të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedonisë 10 Mars 2009

Shkurt 2009

1. NGJARJE PUBLIKE DHE SHKELJE TË PARIMEVE DEMOKRATIKE

1.1. Zgjedhjet 2009: Më pak “politikë”, më tepër sundim i të   drejtës

1.2. Margjinalizimi i plotë i Komisionit Shtetëror për pengimin      e korrupsionit

1.3. Hapa drejtë segregacionit të Maqedonisë

1.4. Raporti i Stejt Departamentit i konfirmon konkluzat relevante të Komitetit të Helsinkit për gjendjen e të drejtave të njeriut në Maqedoni

2. SHKELJE E TË DREJTAVE EKONOMIKE DHE SOCIALE

2.1. Rasti i pensionistëve ushtarak dhe realizimi i sigurimit të tyre pensional dhe invalidor 

2.2.  Revizioni urgjent i Tarifës së përmbaruesve    

2.3.  Rasti i mbizotërimit të kaosit në sistemin arsimor  

3. RASTE POLICORE DHE GJYQËSORE

3.1. Rasti “Leptokarija”

-----------------------------------------------------------------------------------

1. NGJARJE PUBLIKE DHE SHKELJE TË PARIMEVE DEMOKRATIKE

1.1. Zgjedhjet 2009: Më pak “politikë”, më tepër sundim i të   drejtës

          Përkundër mesazheve të qarta që çdo ditë na dërgohen, për nevojën e zgjedhjeve fer dhe demokratike presidenciale dhe lokale, si parakusht për çfarë do qoftë integrimi euro – atlantik në çfarë do qoftë afati, ngjarjet në lidhje me to nuk japin optimizëm. Logjika e këtushme e shtrembëruar sikur thotë: Incidentet potenciale mundet do të jenë vdekjeprurëse për ardhmërinë e afërt të shtetit, por mundet do të jenë të dobishme në një afat të shkurtër për ndonjë opsion politik.

          Pas ngjarjeve të 1 qershorit gjatë Zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të vitit 2008 ishte qartë se fatura për zgjedhjet më skandaloze do të arrijë shumë shpejt. Kështu, nevoja për organizimin e zgjedhjeve fer dhe demokratike u bë bençmarku shtesë, i nënti, tani më i rëndësishmi, të cilin shtetit ja parashtroi BE si kusht për caktimin e negociatave për anëtarësim.

          Ashtu siç afrohen Zgjedhjet lokale dhe presidenciale 2009 mesazhe në këtë drejtim arrijnë nga të gjitha anët. Diplomatët më të fuqishëm të huaj në Shkup muaj me radhë në çdo rast e përsërisin të njëjtin mesazh, madje para fillimit zyrtar të fushatës paraelektorale dhe gjatë vazhdës së saj të deritanishme vrapojnë nëpër selitë e partive kryesore politike, i ftonin në takime liderët e tyre, duke i realizuar aktivitetet e veta kryesisht në dhënien e vërejtjeve në atë drejtim. Në Rezolutën për përparimin e Republikës së Maqedonisë të Europarlamentit, e cila në opinion u përcoll me eufori të llojit të vet, sërish posaçërisht është theksuar rëndësia e organizimit të zgjedhjeve të shkëlqyera dhe kritikohet edhe presioni që u bëhet medieve nga Qeveria, posaçërisht gjatë fushatës paraelektorale. Ambasadori i SHBA-ve në Shkup, si mesazh nga presidenti Obama dhe të sekretares së shtetit Klinton në Haraçinë i transmetoi fjalët “zgjedhjet e lira dhe demokratike janë kusht të cilin Maqedonia duhet ta përmbush më 22 mars, nëse dëshiron të vazhdojë në rrugën drejtë NATO-së dhe BE-së”. Për herë të parë në vendin tonë qëndronte kryeministri i vendit - kryesues të BE, kryeministri i Republikës Çeke, zoti Topolanek. Në mes të Shkupit ai na porositi se nuk e kemi kaluar maturën kur janë në pyetje zgjedhjet të cilat i realizojmë. TV Alfa në informacionin e vet për vizitën do të konfirmojë “Kryeministri i Çekisë – vendit aktual kryesues me Unionin, erdhi personalisht në Shkup që të bindet vallë a e kanë kuptuar autoritetet në Shkup mesazhin për organizimin për organizimin e zgjedhjeve fer dhe demokratike”.

          Por, edhe krahas kësaj, raporti i dytë i misionit vëzhgues të ODIHR nuk sjell optimizëm tejet të madh. Në atë flitet për fillim të parakohshëm të fushatës, për raste të paraqitura të frikësimit posaçërisht në administratën publike (dhe për disa prej tyre konsideron se janë në pajtim me të vërtetën), konstatohet se Komisioni Shtetëror i zgjedhjeve nuk e ka rrumbullakësuar ekipimin, se organet komunale zgjedhore ende nuk e kanë përfunduar trajnimin, se këshillat zgjedhore ende trajnohen, ndërsa trajnimi i votuesve ende nuk ka filluar, e pos kësaj konstatohet edhe mbulim i pa balancuar medial....

          Madje, edhe vetë Komisioni shtetëror i zgjedhjeve (KSHZ) do të konfirmojë se zgjedhjet e marsit do të jenë deri tani më të ndërlikuara (votimi në shumë vende do të shkojë më rëndë për shkak të problemit me hapësirën, se do të zgjasë më gjatë – votuesit në Shkup do të votojnë në 5 fletëvotime, e në komunat tjera në 3 vendvotime, votuesit do të edukohen vetëm javën e fundit para zgjedhjeve, midis tjerash edhe për shkak se në vendvotimin do të mund të paraqiten vetëm një herë dhe për shkak të sigurimit të fshehtësisë së votimit në vendvotimet nuk guxon të përdoren telefona celular dhe mjete tjera për incizimin e materialit zgjedhor).

          Në një ambient të këtillë nuk janë të pamundshme as incidentet që tanimë janë parë në zgjedhjet e parakohshme të vitit të kaluar. Banorët e Tanushës, Brezës, Malinës dhe Bllacës kërcënohen se do t’i bojkotojnë zgjedhjet e ardhshme, të revoltuar se për herë të parë në krye të këshillave zgjedhore janë vënë Maqedonas. Fshatarët pohojnë se nuk do të dalin të votojnë poqese në vend votimin i pret kryetar i këshillit votues që është Maqedonas dhe nuk jeton në fshatin. Vetë kryetarët e këshillave votuese, nga ana tjetër, thonë se do të heqin dorë nga detyra e tyre të frikësuar për shkak të faktit se në zgjedhjet janë caktuar në fshatra ku jetojnë Shqiptarë.

          Mjediset në të cilat janë të mundshme incidentet, tani nuk janë ekskluzivisht ato me popullatë shumicë shqiptare. Në Strumicë, sipas medieve luftohet edhe përkundër përpjekjeve të euro - ambasadorit Ervan Fuere t’i qetësojë kundër kandidatët Zoran Zaev dhe Silvana Boneva. Demolimi i automobilit të vëllait të kryetarit të ndjerë Boris Trajkovski shërben për akuza të ndërsjella të ashpra jo vetëm të partive njëra kundër tjetrës por edhe kundër Ministres së punëve të brendshme e cila u shfaq në një fotografi  bashkë me njërin nga të dyshuarit për demolimin e automobilit të Mojsej Trajkovskit.

          Drojën nga incidente të mundshme të ngjashme me ato të vitit të kaluar nuk e zvogëlojnë paralajmërimet e Ministrisë së punëve të brendshme se përgatitet posaçërisht për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë në këto zgjedhje. Pikërisht për shkak të faktit se në zgjedhjet parlamentare të qershorit të vitit të kaluar pikërisht pjesëtarë të MPB ishin të (keq)përdorur si vegël për realizimin e qëllimeve partiake për marrjen e sa më shumë votave, madje qoftë kjo edhe me shkeljen e ligjeve.

          Sanksionet ligjore për shkaktimin e incidenteve gjatë zgjedhjeve, sa do që të jenë të ashpra, zbehen para faktit se shumë pak nga rastet për të cilat është ngritur akuzë përfundojnë me vendime gjyqësore. Shefi i misionit të ODIHR në intervistë do të theksojë se vazhdon t’i përcjell proceset gjyqësore kundër të akuzuarve për incidente në zgjedhjet e kaluara dhe do ta transmetojë vërejtjen se një numër shumë i vogël i personave janë dënuar. Duhet shtuar se kryeministri Gruevski edhe një herë e ngatërroi veten dhe qeverinë e tij në ujërat e pushtetit gjyqësor me pohimin në intervistën për televizionin A1 duke u përgjigjur në pyetjen “Në zgjedhjet e kaluara ju kërcënuat kryerësve të incidenteve të mundshme se do të sanksionohen” me përgjigjen se “Këtë edhe e aplikova”![1]

          Niveli i fjalës së përdorur publike edhe në vazhdën e deritanishme të aktiviteteve parazgjedhore u tregua i ulët. Kishte edhe përbuzje, përdorim të fjalëve të cilat nuk u ngjajnë profesorëve universitar (e të tillë janë madje 4 mes kandidatëve presidencial) dhe njerëz me dëshirë ta udhëheqin popullin, deri diku primitivizëm, përkatësisht mos kuptim ose të kuptuarin e dobët të parimeve themelore demokratike. Komiteti i Helsinkit shfaq që edhe për këto zgjedhje nuk pati sukses që të gjejë donatorë të cilët me mjete modeste do të mundësonin reagime dhe analiza të fjalës së thënë publikisht në skenën politike, që do të ishte instruktive edhe për opinionin edhe për politikanët.

          Do të shënojmë edhe disa dukuri të cilat nuk janë karakteristike për shoqëritë demokratike.

          Autonomia e universitetit për një kohë të shkurtër pësoi dy mësymje të ashpra. Fillimisht për kandidatin presidencial të VMRO-DPMNE-së në pushtet nënshkrime grumbulloheshin dhe merreshin nga njerëzit e parë të universiteteve shtetërore. Mandej i njëjti kandidat deklaroi në mënyrë të hapur se me studentët e vet i ka ndihmuar njërit nga rivalëve që ta grumbullojë numrin e duhur të nënshkrimeve për kandidaturën. Por, pas reagimit të ashpër në opinion për keqpërdorimin eventual politik të funksionit të vet të profesorit, kandidati kërkoi ndjesë për deklaratën e vet.

          Si pas avazit, edhe kjo Qeveri në kohën kur është në vazhdë e sipër fushata paraelektorale pothuajse të gjitha aktivitetet e veta i gërsheton në përpjekjet që në çdo mënyrë t’i ndihmojë kandidatit të vet. Në opinion u paraqitën akuza se e tërë Qeveria është në fushatë, dhe me këtë rast partitë opozitare maqedonase i akuzuan të “vetit” në pushtet, partnerin shqiptar të koalicionit në pushtet – Bashkimin Demokratik për integrim. Në hapësirën e pa rregulluar mediale tani më e butë është vërejtja se aktivitetet e qeverisë njësohen me ato partiake paraelektorale, pa marrë parasysh se nga hapja e çezmave tradicionale nëpër fshatra, shfrytëzimi i strukturës shtetërore (automjete, lokale, telefona, por edhe të të punësuarve në administratën....) u arrit në investime me miliarda dollarë për vitet e ardhshme.

Në opinion, në lidhje me këto akuza ju bashkëngjit edhe rizgjedhja e tretë “sekrete” e kryetares së Komisionit Shtetëror për pengimin e korrupsionit, i cili është kompetent për shkelje të Ligjit për pengimin e korrupsionit në kohën e zgjedhjeve. Do të jetë interesant të shihet nëse dhe si “Antikorrupsioni” (siç emërtohet në opinion Komisioni shtetëror për pengimin e korrupsionit) do t’i përgjigjet obligimit për kontrollimin e parave të shpenzuara për fushatat zgjedhore. Dhe, çfarë është lidhja midis pjesës evidente më të madhe të programit të paguar politik në mediat elektronike ku Qeveria realizon më shumë shpallje ose pronarët e të cilave janë pjesë e koalicionit qeverisës ose të afërt me të[2].

          Problemi me (mos)ekzistimin e listave të votuesve në pothuajse të gjitha zgjedhjet e mbajtura deri tani në Republikën e Maqedonisë është fenomen që nuk mund të sqarohet, vetëm nëse nuk shpjegohet si të kuptuarin se manipulimet me votat e votuesve inekzistent nuk është njëri nga “përfitimet” e pushtetit, përfitimi i së cilës është aq i madh që edhe partitë në opozitë heshtin. Nëse shihen shifrat e votuesve në cikle të ndryshme zgjedhore, do të konstatohet se në zgjedhjet e para pluraliste në vitin 1990 në listën e votuesve kanë qenë 1.371.176 votues, ndërsa në zgjedhjet e parakohshme parlamentare shifra është 1.779.116 votues, që paraqet rritje për rreth 400 mijë njerëz ose diku një e katërta e popullatës së përgjithshme (vlerësimi i Entit shtetëror për statistikë është se RM në 31 dhjetor të vitit 2008 ka pasur 2.049.613 banorë). Logjike është që shifrat e këtilla lindin dyshime, posaçërisht nëse tregohen si të sakta shifrat se rreth 150.000, ndërsa nxënës prej shkollës të shkollës tetëvjeçare dhe shkollës së mesme deri në vitin e katërt ka rreth 350.000. Në të dhënat ka edhe oscilime paksa të pakuptueshme – nga 1.495.288 votues të regjistruar në zgjedhjet lokale 1996, ka rënie në 1.106.513 në zgjedhjet parlamentare dy vite më vonë (1998) ose rritje nga 1.449.355 votues të regjistruar në zgjedhjet presidenciale të vitit 1999 në 1.664.859 në zgjedhjet lokale vetëm për një vit pas kësaj (2000). Dyshimet për “shpirtra të vdekur (votuese)” nxiten edhe me shifrat prej së paku mbi 130.000 shtetas të Maqedonisë me të drejtë vote të cilët jetojnë jashtë shtetit (ose diku rreth 7.5 përqind nga votuesit e regjistruar nga të cilët 38.386 persona kanë nënshtetësi të Maqedonisë, e kurrë nuk kanë jetuar në shtetin tonë). Gjatë disa muajve të fundit pyetje të njëjta parashtruan edhe ODIHR edhe disa diplomatë në vendin tonë.

          Por, ajo që është paradoksale është e dhëna  se që nga viti 1990 asnjë Ministri e drejtësisë dhe asnjë qeveri nuk e pa të arsyeshme që seriozisht ta kontrollojë listën zgjedhore për cilët do qoftë zgjedhje të mbajtura.

          Për të gjitha këto zgjedhje, posaçërisht pas konstatimit të tendencës që zgjedhjet, sipas rregullës, të jenë më të këqija se sa zgjedhjet paraprake, partitë politike nënshkruajnë kode (siç është ai i iniciuar dhe i kultivuar nga Instituti Nacional amerikan për demokraci), në sajë të rekomandimeve, sugjerimeve ose kërcënimeve të diplomatëve dhe burrështetasve të huaj  mbanin takime të liderëve në të cilat bëheshin premtime të ndryshme, por rezultatet sërish ishin zgjedhje më të këqija se sa ato parapraket. Pas atyre në qershor të vitit 2008 është me të vërtetë rëndë edhe të paramendohet çfarë do të ishin zgjedhje më të këqija se këto zgjedhje.

          Njëlloj si në çdo vend normal, përgjegjësinë për realizimin e zgjedhjeve e kanë institucionet shtetërore, të cilat ekzistojnë për të gjithë qytetarët (si në këtë rast) që në mënyrë sa me më pak pengesa ta realizojnë të drejtën e vet të votës. Ata nuk ekzistojnë për t’i realizuar me çdo kusht dëshirat e partive, të anëtarësisë së tyre dhe të simpatizuesve. Prandaj edhe e vetmja shpresë se këto zgjedhje do të kalojnë në atmosferë sa do qoftë fer dhe demokratike është në vendosjen e politikës partiake në nivelin e fushatës dhe në lënien që institucionet shtetërore ta mundësojnë sundimin e drejtësisë së paku në atë masë që në zgjedhjet të mos ketë incidente të armatosura, thyerje masive të kutive votuese, vjedhje të materialit zgjedhor, falsifikim të dokumenteve zgjedhore....të lënduar dhe viktima.

1.2. Margjinalizimi i plotë i Komisionit Shtetëror për pengimin e korrupsionit

          Rizgjedhja e Mirjana Dimovskës kryetare e Komisionit Shtetëror për pengimin e korrupsionit ka ndodhur më 25 shkurt të vitit 2009, së paku ashtu opinioni ishte informuar me lajmin e shkurtër të botuar në sajtin e Komisionit[3]. Kjo është rizgjedhja e dytë me radhë “sekrete” e zonjës Dimovska në këtë funksion publik, për shkak se edhe vitin e kaluar ndodhi e njëjta gjë. Komisioni i cili, ndërkaq shpesh herë i praktikon konferencat për media, dy vjet me radhë nuk e sheh të arsyeshme së paku me kumtesë ta informojë opinionin për rizgjedhjen e njeriut të vet të parë, por informacionin e vendos në faqen e vet të internetit. Kështu Dimovska do të jetë së paku 3 vjet “e para midis të barabartëve” në Komisionin mandati i të cilit zgjat 5 vjet.

           Vitin e kaluar rizgjedhja në opinion u karakterizua si “skandal pa precedencë”, ndërsa rasti u shpall si ngjarje më e mjegulluar për muajin shkurt të vitit 2008 në anketën “e pa mjegulluar – e mjegulluar” të agjencisë së pavarur gazetare “Makfaks” dhe të organizatës joqeveritare “transparencë - zero korrupsion” në të cilën votuan 17 kryeredaktorët e medieve maqedonase. Vështirë se arsyetim mund të jenë pohimet se vetëm Dimovska mund me sukses mund ta realizojë funksionin kryetar – nga njëra anë Komisionin e përbëjnë edhe 6 anëtarë (shumica juristë, midis të cilëve edhe një gjykatës i mëparshëm i Gjykatës Supreme), nga ana tjetër Dimovska, sipas mediave, kryen edhe funksione tjera me përgjegjësi (“punon edhe si mediator, e para do kohësh u emërua edhe për drejtore e Televizionit Maqedonas”, me ç’rast kryerja e këtij funksioni të dytë mund të shpjegohet edhe si afërsi me pushtetin).

          Tani është tërësisht e qartë se në ndryshimet e Ligjit për pengimin e korrupsionit të 24 nëntorit të vitit 2006 jo rastësisht në ndryshimin e paragrafit 2 të nenit 48 në të cilin precizohet mandati i kryetarit të Komisionit  prapa kohëzgjatjes prej 1 viti u humbën “pa të drejtë për zgjedhje të sërishme”. Dhe e tërë kjo ndodhi para zgjedhjes se përbërjes së dytë me radhë të Komisionit.

          Për fat të keq, ky është edhe një hap drejtë margjinalizimit të plotë, ose nëse dëshironi vënien e plotë të saj nën kontrollin e pushtetit, përkatësisht vënien nën kontroll të pushtetit të “Antikoruptueses”, siç emërtohet në mënyrë të popullarizuar në opinion. Nëse për fillimin e punës së përbërjes së parë të Komisionit mund të jepen edhe nota të mira, fundi i mandatit të tyre, për fat të keq, kaloi nën hijen e përshtypjes se disa nga anëtarëve më me ndikesë të përbërjes së parë të Komisionit bënë pazarllëk të mirë me Qeverinë e re për funksione të larta. Sipas gazetës “Utrinski vesnik” për punën e kësaj përbërje të dytë të Komisionit “opinioni disa herë reagoi rreth punës dhe transparencës së këtij institucioni, duke pasur parasysh se nuk u shpall asnjë rast më i madh i krimit të organizuar dhe të korrupsionit, ndërsa vihej në pah se komisioni punon në mënyrë selektive dhe nën presione politike. Vërejtje për punën e Komisionit bëri edhe Komisioni Evropian në raportin e tij të fundit për Maqedoninë.” Madje, indikative është edhe ajo që opinioni ende nuk e din raportin për punën e “Antikoruptueses” në vitin e kaluar, miratimi i të cilit zakonisht bëhet atëherë kur (ri)zgjidhet edhe kryetari.

 1.3. Hapa drejtë segregacionit të Maqedonisë

          Karakteri multikulturor dhe multietnik i shoqërisë sonë si dhe ndërtimi i besimit të ndërsjellë, tolerancës dhe bashkëjetesës midis bashkësive të ndryshme etnike janë shtyllat mbi të cilat mbështetet shteti bashkëkohor i Maqedonisë. Standardet e implementuara ndërkombëtare, preambula dhe vlerat themelore të Kushtetutës jo vetëm që e shfaqin vetëdijen e të gjitha bashkësive në Maqedoni për ndërtimin e bashkëjetesës midis tyre, poashtu në vete ngërthejnë edhe përgjegjësi për tanishmërinë dhe ardhmërinë për ruajtjen dhe zhvillimin e tyre.

           Problemet në shkollën e mesme “Niko Nestor” në Strugë të cilat e valuan opinionin në Maqedoni, kulminuan këtë muaj me mos durim etnik midis nxënësve të shkollave të mesme në këtë shkollë. Udhëheqja e shkollës, prindërit e nxënësve, pushteti lokal dhe Ministria e arsimit dhe e shkencës për zgjidhjen e problemit shpikën “zgjidhje përkatëse” me ndarjen e nxënësve të shkollës së mesme Maqedonasë e Shqiptarë të cilët prej tani do të mësojnë ne turne gjuhësore/etnike të ndara. Sipas kompetentëve “këto turne janë zgjidhje për problemet shumëvjeçare dhe turnet e ndara nuk do të thonë ndarje etnike por përkundrazi, kushte në të cilat fëmijët do të mund të garojnë, e jo të rrihen”. 

          Mirëpo, problemet në Strugë janë probleme të cilat janë më të thella, në të cilët ndërlidhen një varg problemesh tjera, të cilat definitivisht shpijnë drejtë segregacionit (ndarjes) së shoqërisë e me këtë do të tregojmë qartë se procesi i shoqërisë së integruar fillon të na largohet nga agjenda jonë. Vetëm si shembull – nga vargu i ndarjeve të cilat bëhen sipas të njëjtit parim në Tetovë, Dibër dhe Kumanovë ku nxënësit tanimë një periudhë të caktuar janë të ndarë në turne etnike, e tendenca të këtilla ngadalë paraqiten edhe në Shkup.

          Cila është arsyeja për të sjellë një vendim të tillë e cila definitivisht shpie drejtë segregacionit etnik dhe ndarjeve në shoqëri? Është e dukshme se në tërë procesin janë të përzier edhe faktorë tjerë “të padukshëm” (politik) të cilët e kanë nxitur gjendjen, duke i thelur rrahjet ndër etnike. Ndikesë të madhe në mbarë këtë proces luajnë edhe faktorë tjerë siç janë prindërit të cilët fuqishëm qëndruan prapa ndarjeve dhe i përkrahën të njëjtat. Këshilli i prindërve të nxënësve nga nacionaliteti maqedonas në disa raste “apeluan” që të respektohet vendimi i Ministrisë së arsimit dhe nxënësit ta realizojnë mësimin në turne etnike. Përballë tyre, prindërit e nxënësve shqiptarë e kontestojnë vendimin për turne të ndara etnike dhe konsiderojnë se i njëjti nuk është legjitim dhe kërkojnë që mësimi të zhvillohet në turne të përziera etnike.

          Më se e dukshme është se nxënësit e shkollave të mesme në tërë këtë proces të dyshimtë janë vetëm instrument manipulimi të cilëve nuk u është lënë hapësirë për zgjedhje.

          Absurde është kërkesa e institucioneve kompetente për përzierjen e misionit të OSBE-së në procesin e gjithëmbarshëm për të cilin interesim tregoi edhe Komisari i lartë për pakica kombëtare, ambasadori Volebek. Arsyetim për përzierjen e misionit të OSBE-së dha Këshilltari për arsim në Strugë i cili theksoi se të njëjtit janë të kyçur në procesin me qëllim “që të mos politizohet gjendja dhe të mos mendohet se diçka imponohet nga pushteti qendror dhe lokal”. Institucionet kompetente shohin shpëtim në OSBE-në për shkak se ata mund të kontribuojnë për zgjidhjen e problemeve përmes sigurimit të mediatorëve profesional, me çka qartë vënë në dije se nuk janë të gatshëm e as të fuqishëm t’i zgjidhin problemet të cilat janë në kompetencat e tyre ose mundet të njëjtit në mënyrë të shkathët të heqin dorë nga situata në të cilën siç shihet i kanë përzier duart më shumë faktorë “me ndikesë”.

          Krahas paralajmërimeve të Ministrisë për arsim dhe shkencë se e njëjta do të angazhohet për socializmin i cili do ta mundësojë krijimin e gjeneratave të reja që do të jenë të shkarkuara nga mbyllja në bashkësinë e vet etnike, prapëseprapë e njëjta, përkundrazi nga pohimet u kapën pikërisht për ndasinë e nxënësve dhe për mbylljen e tyre në turne të ndara.

          Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut i Republikës së Maqedonisë e shpreh brengosjen për shkak të ngjarjeve në shkollën e mesme “Niko Nestor” në Strugë si dhe për shkak të vendimit të  Ministrisë së arsimit dhe shkencës e cila bie ndesh me parimet për ndërtimin e tolerancës dhe bashkëjetesës në një shoqëri multietnik.

1.4. Raporti i Stejt Departamentit i konfirmon konkluzat relevante të Komitetit të Helsinkit për gjendjen e të drejtave të njeriut në Maqedoni

          Më 25 shkurt të vitit 2009, departamenti amerikan i shtetit e shpalli raportin e vet të rregullt vjetor për gjendjen e të drejtave të njeriut në vitin 2008, në të cilin theksohet se qindra miliona njerëzve në mbarë botën nga ana e organeve dhe institucioneve shtetërore u janë shkurtuar ose shkelur të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

          Maqedonia gjithsesi, nuk është përjashtim nga ndodhjet e këtilla edhe përkundër asaj që vërejtje e përgjithshme dhe fillestare në raportin e përmendur është se “Qeveria në shtetin tonë në përgjithësi i respekton të drejtat e njeriut të qytetarëve të saj pa marrë parasysh që ka probleme në disa lëmi”, që mandej në vazhdim të thellojet në problemet e një numri të madhe të lëmenjve. Konkluza e përgjithshme shpien në faktin se gjendja e të drejtave të njeriut në Republikën e Maqedonisë ende nuk e ka arritur nivelin e duhur.

          Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut gjatë tërë vitit 2008 në raportet e veta të rregullta mujore, si dhe në analizat dhe kumtesat e posaçme, vente në pah problemet me të cilat ballafaqohemi në pjesën e respektimit të të drejtave të njeriut, e të cilat midis tjerash janë theksuar dhe absolutisht përputhen me raportin e Stejt Departamentit.

          Në raportin detektohen më tepër probleme të cilat ekzistojnë një kohë më të gjatë, ndoshta do të mundej të ishin tejkaluar poqese bartësit e pushtetit te ne turpërohen dhe i pranojnë apelet dhe theksimet e Komitetit të Helsinkit të Maqedonisë. Kështu, edhe në këtë raport edhe në raportet e rregullta të komitetit përputhen: mosrespektimi i të drejtës për prezumpcionin e pafajësisë, të garantuar me Kushtetutën e RM dhe me Konventën Evropiane për të drejtat e njeriut; rastet e torturimit, sjelljes jonjerëzore dhe poshtëruese nga ana e pjesëtarëve të policisë dhe njësisë së posaçme policore Alfat dhe keqpërdorimi dhe aplikimi jo përkatës i masës paraburgim dhe mos aplikimi i masave tjera alternative për sigurimin e pranisë së të akuzuarit të parapara me Ligjin për procedurë penale.

          Raporti i Departamentit amerikan të shtetit në pjesën që ju dedikohet kushteve nëpër burgjet dhe reparteve për paraburgosje flet për problemin e rëndësishëm të vërejtur nga ana e vëzhguesve ndërkombëtar, përkatësisht: kushtet e “varfra” higjienike; kujdesi i pa mjaftueshëm medicinal dhe mungesa e personelit profesional; mbipopullimi; përparimi i pa mjaftueshëm i Maqedonisë dhe mos përmbushja e rekomandimeve nga ana e KPT që janë dhënë pas vizitave të realizuara. Komiteti i Helsinkit disa herë i vente në pah dhe i nënvizonte vërejtjet paraprakisht të theksuara pas vizitave të bëra në entet e mbyllura.

          Në pjesën e raportit që ka të bëjë me policinë, Departamenti amerikan i shtetit e thekson ekzistimin e “bisedave informative” të kryera nga policia dhe marrja e personave pa arsyetim.

          Në drejtim të procedurave gjyqësore dhe të drejtën për gjykim fer dhe të drejtë në të cilat Raporti u bën vështrim të shkurtër, Komiteti i Helsinkit në disa raporte mujore nxjerrte në pah mos aplikimin e të drejtës për gjykim në afat racional, zgjatjen tejet të mëdhe dhe zvarritjen e procedurave gjyqësore dhe mos zbatimin i dispozitave të LPP në raste të caktuara gjyqësore, e posaçërisht në barazinë e kushteve gjë e cila nënkupton status të privilegjuar të prokurorëve publik.

          Më tej, në pjesën për zgjedhjet dhe për pjesëmarrjen e partive politike, flitet se zgjedhjet e realizuara nuk i kanë përmbushur rekomandimet e OSBE-së, ndërsa theksi është vënë në pamundësinë e shtetit që t’i pengojë aktet e dhunës gjatë zgjedhjeve në rajonet kryesisht shqiptare dhe më vonë pamundësinë që procedurat penale për veprat kundër zgjedhjeve ta fitojnë përfundimin.

          Departamenti i shtetit si problem e thekson edhe diskriminimin e personave me nevoja të posaçme posaçërisht në procesin arsimor dhe në mbrojtjen shëndetësore. Në të njëjtin flitet se edhe përkundër përpjekjeve të organizatave të caktuara joqeveritare dhe anëtarëve të shtëpisë ligjvënëse që të sjellin ligje me të cilat do të përmirësohen kushtet që kjo ide të mos realizohet për shkak të përkrahjes së saj të vogël.

          Krahas raportimit të vazhdueshëm shumëvjeçar dhe përcjelljes së gjendjes me të drejtat e njeriut nën syrin e zgjuar të një numrit të madh të organizatave ndërkombëtare, midis të cilave posaçërisht të Komitetit për pengimin  e torturës, Këshillit të Evropës, përmes vizitave të Komisariatit të lartë për të drejtat e njeriut, të organizatave vendase joqeveritare të cilat merren me të njëjtën problematikë, si dhe të zyrës së Avokatit të Popullit, Komiteti i Helsinkit me brengosje konstaton se edhe më tej organet shtetërore në Republikën e Maqedonisë nuk kanë strategji për përmirësimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut, edhe më tej nuk ndërmarrin masa për tejkalimin e problemeve në lëmitë kyçe me qëllim të sigurimit të respektimit elementar të të drejtave të njeriut. Edhe më brengosës është fakti që nuk jemi as dëshmitarë të prezantimit publik ose gatishmërisë së shfaqur publikisht për përpilimin e strategjisë së qëndrueshme për tejkalimin e problemeve, gjë e cila është konfirmim i sjelljes injorante të organeve kompetente ndaj kritikave në këtë fushë që janë dhënë nga organet dhe organizatat relevante vendase dhe ndërkombëtare.

2. SHKELJE E TË DREJTAVE EKONOMIKE DHE SOCIALE

2.1. Rasti i pensionistëve ushtarak dhe realizimi i sigurimit të tyre pensional dhe invalidor

          Duke e analizuar legjislativin tonë në raport me procedurën administrative, e posaçërisht për shkak të faktit që organet shtetërore të administratës veprojnë në lëmi me të cilat drejtpërdrejtë janë të prekura të drejtat, liritë dhe interesat themelore të njeriut, lirisht mund të konkludojmë se në RM ende nuk kemi mekanizëm efikas për mbrojtjen e të njëjtave. Edhe përkundër reformave të vazhdueshme gjyqësore, edhe përkundër ndryshimeve dhe plotësimeve të shumta të ligjeve në drejtim të përmirësimit të gjendjes me të drejtat e njeriut në këtë fushë, për fat të keq procedura administrative ende është jo efikase dhe me kohëzgjatje të stërzgjatur.

          Këtë e tregon edhe njëri nga shembujt e shumtë, rasti i grupit të pensionistëve ushtarak pa pension pothuajse 17 vjet, të cilët nuk mund ta realizojnë të drejtën e vet për pension invalidor nga viti 2002, e të fituar qysh në RS të Jugosllavisë, e kjo ka ndodhur “falë azhurnitetin” të administratës shtetërore.

          Pas kërkesës së parashtruar për pagesë të pensionit të fituar në RS të Jugosllavisë në pajtim me Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për sukcesion midis republikave të mëparshme jugosllave nga një grup të pensionistëve ushtarak, Fondi për sigurim pensional dhe invalidor – njësia rajonale në Shkup ka sjellë Konkluzë në datën 09.04.2002 me të cilën e njëjta refuzohet si e pa bazë për shkak se ka qenë e tejet e hershme. Me këtë rast, organi i shkallës së parë e ka harruar dispozitën nga neni 223 të Ligjit për procedurë të përgjithshme administrative me të cilin përcaktohet se me Konkluzë vendoset për çështjet që kanë të bëjnë me procedurën, si dhe për ato çështje të cilat si anësore do të paraqiten në lidhje me zbatimin e procedurës, e të cilat nuk ç’thuren me vendim.

          Duke proceduar në lidhje me ankesën e parashtruar në kohë, Komisioni për vendosje në shkallën e dytë për lëndët nga sigurimi pensional dhe invalidor pranë Qeverisë së RM, sërish me Konkluzë të datës 30.08.2002 të njëjtën e ka refuzuar si të pabazë. Pas aktpadisë së parashtruar, Gjykata Supreme e RM në datën 18.05.2006 ka sjell Aktvendim gjyqësor, me të cilin padia merret parasysh, ndërsa Konkluza e Komisionit për vendosje në shkallën e dytë shlyhet.

          Për të qenë absurdi edhe më i madh, në sajë të Aktvendimit gjyqësor të Gjykatës Supreme të RM, Komisioni i shkallës së dytë, në datën 01.02.2007, e ka përmirësuar gabimin me llojin e aktit, dhe vetëm ka sjellë Vendim me të cilin ankesa refuzohet si e pabazë, duke mos ju kushtuar vëmendje rekomandimeve tjera që janë dhënë nga Gjykata.

          Gjykata administrative e RM, duke proceduar për kontest sërish të iniciuar administrativ, me Aktvendimin e datës 07.02.2008, aktpadinë e ka marrë parasysh, Vendimin e kontestuar të Komisionit për vendosje në shkallë të dytë e ka shlyer dhe lëndën e ka kthyer për shqyrtim dhe vendimmarrje të sërishme.

          Më tej, Komisioni në datën 24.04.2008 ka sjellë Vendim me të cilin ankesa kundër vendimit të Fondit për sigurim pensional dhe invalidor është e pabazë, por nga ana tjetër vendimi i kontestuar, duke harruar se kjo është konkluza, e shlyen dhe lëndën e sjell për procedim të sërishëm.

          Duke pasur parasysh faktin që organi i shkallës së parë nuk ka proceduar lidhur me vendimin e përmendur në afatin ligjor, në datën 22.12.2008 i është parashtruar ankesë Komisionit të shkallës së Dytë për shkak të heshtjes së administratës, e cila për shkak të rendit natyror të gjërave, ende nuk ka proceduar në afatin e paraparë ligjor.

          Konkluza përfundimtare brengosëse është se në këtë rast më së pari nuk është marrë parasysh fakti se Marrëveshja për çështje të sukcesionit midis republikave të mëparshme jugosllave paraprakisht ka hyrë në fuqi në datën 03.06.2004 gjatë deponimit të instrumentit të pestë për ratifikim, prej ku rrjedh edhe obligimi për njohje të të drejtës për pagesë të pensionit për të gjithë pensionistët ushtarak të cilët ballafaqohen me të njëjtin problem, më tej organi i shkallës së dytë nuk i ka respektuar në mënyrë konsekuente rekomandimet e dhëna nga Gjykata supreme, mandej edhe ato nga Gjykata Administrative e RM dhe shkeljet e dukshme qartë të dispozitave themelore të Ligjit për procedurë administrative[4],[5] dhe nga organi i shkallës së parë dhe shkallës së dytë.

          Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut ju ka dërguar shkresa Fondit për sigurim pensional dhe invalidor, si dhe Komisionit të shkallës së Dytë pranë Qeverisë së RM, në lidhje me shkaqet për mënyrën e këtillë të procedimit. Në pritje të përgjigjes, por pa marrë parasysh të përmbajtjes së të njëjtës, i pa shmangshëm është konstatimi se edhe ndryshimet më të reja të Ligjit për procedurë të përgjithshme administrative i shtatorit të vitit 2008 nuk do të kontribuojnë për tejkalimin e mos azhurnitetit të administratës shtetërore, por përkundrazi edhe më tepër do ta thellojnë problemin me procedurën administrative, posaçërisht për shkak të faktit që ligji nuk parasheh lloj të përgjegjësisë për mosrespektimin e një pjese të madhe të dispozitave në të njëjtin.

2.2.  Revizioni urgjent i Tarifës së përmbaruesve  

          Në sajë të parashtresës së dorëzuar Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut u informuam se personi N.N. në sajë të borxhit të pa paguar për ujin e konsumuar në lartësi prej 643,00 denarë, ka marrë Urdhëresë për përmbarim në lartësi prej 9.911,00 denarë, ku përmbaruesi ka bërë llogaritje të shpenzimeve, besoni apo jo, në lartësi prej 9.268,00 denarë.

          Duke konsideruar se me siguri ekziston ndonjë farë gabimi, duke mos parë logjikë që për kryeborxh prej 643,00 denarë, shpenzimet e përmbarimit të jenë madje 9.268,00 denarë, Komiteti i Helsinkit ju drejtua Odës së përmbaruesve dhe Përmbaruesit i cili e ka përgatitur Urdhërin e përmbarimit, me kërkesë për informim së në bazë të cilave paragrafe janë përllogaritur shpenzimet e përmbarimit.

Nga Përmbaruesi morëm përgjigje se në pajtim me Tarifën të botuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë nr. 134 të datës 25.12.2006 për çdo shumë të kryeborxhit deri 200 euro paguhet shuma prej 10 euro + TVSH në kundërvlerë në denarë, si dhe për dërgimin e urdhëresës për administrimin e lëndës. Për përpilimin e urdhëresës për përmbarim paguhet shuma prej 20 euro + TVSH në kundërvlerë në denarë, si dhe për dërgimin e urdhëresës për përmbarim 30 euro + TVSH në kundërvlerë në denarë dhe për dërgesë deri te punëdhënësi 10 euro + TVSH në kundërvlerë në denarë.

          Poashtu, ishim të informuar se në shumën e shpenzimeve për përmbarim përllogariten edhe shpenzimet të cilat i autorizuari i kreditorit ka të drejtë t’i kërkojë në pajtim me ligjin, e të cilat kanë të bëjnë me shpenzimet për autorizim në lartësi prej 1.300,00 denarë dhe shpenzime për përpilimin e kërkesës për përmbarim të cilat përcaktohen në sajë të borxhit kryesor, e në këtë rast ato janë në lartësi prej 650,00 denarë. Për çdo dokument të realizuar përmbarimi, përmbaruesi ka të drejtë për shpërblim varësisht nga kryeborxhi, e në këtë rast përmbaruesi ka të drejtë për shpërblim në lartësi prej 30 euro + TVSH shuma në kundërvlerë në denarë.

          Duke e pasur parasysh absurditetin e rastit, borxhliu të paguajë shumë prej 9.268,00 denarë në emër të shpenzimeve për përmbarimin për kryeborxhin në lartësi prej 643,00 denarë, Komiteti i Helsinkit u apelon organeve kompetente se është e nevojshme revizion URGJENT i Tarifës për shpërblim dhe shpenzime tjera për punën e përmbaruesve.

2.3.  Rasti i mbizotërimit të kaosit në sistemin arsimor  

          Qysh në vetë fillimin e vitit të ri 2009, për vetëm dy muaj, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut i Republikës së Maqedonisë pranoi një numër të madh parashtresash të cilat kishin të bëjnë me problematikën e gjendjeve në arsim. Vetëm nga kontrollimi i dokumentacionit të dërguar nga vetë palët, parashtrohet pyetja vallë a mbizotëron kaos në sistemin arsimor, dhe e tërë kjo në dëm të pjesës më të ndjeshme të popullatës sonë – fëmijëve. Pas përpunimit të detajuar të parashtresave, u janë dërguar shkresa organeve kompetente në lidhje me vërtetësinë e pohimeve dhe për masat që do të ndërmerren nga Ministria e arsimit, Inspektoratit Shtetëror arsimor dhe pushtetit lokal, në këtë moment vetëm mund të paralajmërojmë dhe të tërheqim vëmendjen në një pjesë nga problemet me të cilat ballafaqohemi kur bëhet fjalë për arsimin.

          Para do kohësh Komitetit ju dërgua edhe një parashtresë për mos respektimin e dispozitës ligjore nga neni 7 dhe neni 9 të Ligjit për arsim fillor për pjesëtarët e bashkësive të cilat flasin gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase.

          Në rastin e S.I. dhe arsimtarëve të tjerë të revoltuar, na informuan se pas skadimit të marrëveshjes për punësim për kohë të caktuar, pasi që i njëjti nuk është përtërirë, nga Drejtori i Sh.F. “Rade Kratovçe” në Koçanë është punësuar tjetër person për kohë të caktuar pa shpallje publike. Më brengosëse është ajo që personi që është pranuar nuk e ka përmbushur kushtin e posaçëm të paraparë në Ligjin për arsim fillor, më saktësisht nuk e ka pasur të dhënë provimin profesional.

          Në lidhje me fletëparaqitjen dërguar Inspektoratit të autorizuar komunal arsimor, i njëjti në përgjigjen e dërguar personit S. I. informon se pas kontrollit të bërë inspektoria në Sh.F. “Rade Kratovçe” në datën 10.09.2008 është konfirmuar gjendja e theksuar më lartë. Drejtori i shkollës ka qenë i obliguar që për vendin e punës arsimtar në mësimin klasor të angazhojë person duke e respektuar Ligjin për arsim fillor.

          Gjendja e këtillë është konfirmuar edhe nga e Inspektoratit Shtetëror arsimor, i cili pas paraqitjes, në datën 19.09.2008 e ka bërë kontrollimin inspektues në shkollë dhe e ka obliguar Drejtorin që të angazhojë person në pajtim me Ligjin për arsim fillor.

          Më tej, Drejtori i Sh.F. “Rade Kratovçe” edhe krahas hapjes së shpalljes publike për punësim, sërish nuk i ka respektuar dispozitat për kushtet e posaçme për punësimin e arsimtarëve për mësim klasor të përshkruara në Ligjin për arsim fillor, e as që ka vepruar në pajtim me obligimet e dhëna nga Inspektori i autorizuar komunal dhe Inspektorati shtetëror arsimor.

          Siç është e dukshme nga dokumentacioni i dërguar si shtesë, Inspektori i autorizuar komunal gjatë kontrollit të bërë të jashtëzakonshëm inspektoria në datën 09.01.2009, në vend të ndërmarrjes së masave konkrete, sërish i konstaton shkeljet e njëjta, por nuk ka ndërmarrë masa për sanksionimin e personit përgjegjës, edhepse ka mundësi dhe kompetenca të tilla ligjore. Për herë të dytë vetëm e ka obliguar Drejtorin që në vendin e punës arsimtar për mësim klasor të angazhojë person duke e respektuar Ligjin për arsim fillor.

          Në mënyrë analoge, parashtrohet pyetja pse Inspektori i autorizuar komunal arsimor dhe Inspektorati shtetëror arsimor kanë konsideruar se Drejtori i shkollës, pasi që një herë i ka injoruar obligimet e dhëna, tani do të shfaq vullnet që ta respektojë Ligjin për arsim fillor, dhe cilat janë arsyet për shkak të të cilave nuk janë ndërmarrë masat konkrete të parapara për sanksionimin e shkeljeve të dispozitave ligjore. Shpresojmë se nga organet kompetente do të marrim përgjigje të shpejtë dhe të qëndrueshme në shkresën tonë lidhur me këtë, që të mos konkludojmë se ekziston nevojë alarmuese për ndryshime në sistemin arsimor.

3. RASTE POLICORE DHE GJYQËSORE

3.1. Rasti “Leptokarija”

          Përmes medieve të printuara dhe televizive Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut i Republikës së Maqedonisë dhe opinioni u njoftuan për ngjarjen që kishte ndodhur në datën 06.10.2008 kur në Qendrën Tregtare “Leptokarija” në Shkup policë komunikacioni kanë qëlluar dhe shtyrë një djalë të ri. Akti i maltretimit është xhiruar nga një kalimtar rasti i cili xhirimet i ka dërguar në mediat publike.

          Sektori i kontrollit të brendshëm menjëherë pas ngjarjes doli me informacion se do të realizojë hetim të brendshëm kundër policëve të komunikacionit për përdorimin eventual të tepërt të forcës.

          Komiteti i Helsinkit i dërgoi shkresë Sektorit për kontroll të brendshëm dhe standarde profesionale dhe kërkoi që të informohet a është realizuar hetim i brendshëm nga ana e Sektorit, cilat janë gjetje e të njëjtit, përkatësisht a është ngritur procedurë kundër policëve të komunikacionit, për shkak se xhirimet e lëshuara në etër kanë qenë mjaft evidente dhe të qarta në drejtim të veprimit të policëve të komunikacionit.

          Në datën 13.02.2009 Komiteti i Helsinkit mori informacion nga Sektori për kontroll të brendshëm përmes të cilit u informuam me sa vijon:

          Pas informimit paraprak dy nëpunës policor (në tekstin e mëtejmë NP) nga stacioni policor “Skopje” për shkak të sigurimit të personit kanë shkuar në Bul. ”Partizanski odredi”, në afërsi të QT “Leptokarija”. Në vendin e ngjarjes kishte ndodhur aksident komunikacioni ku si pjesëmarrës ka qenë qytetari I.D. nga Shkupi, i cili me automjetin e vet motorik ka goditur në zhardinjerën e vendosur si pengesë fizike në hapësirën për parkim. I.D. ka qenë në gjendje të dukshme të pirë, konsiderojnë NP. Me që ka pasur zënkë verbale midis qytetarit dhe bashkudhëtarit të tij, NP u janë afruar atyre me qëllim që t’ua tërheqin vërejtjen. Atëherë, qytetari pa kurrfarë shkaku (me siguri vetëm për atë që janë policë – vërejtja jonë) ka filluar t’i fyejë dhe poshtërojë NP me fjalë jo dinjitoze me ç’rast ka bërë përpjekje që të hyjë në veturën e tyre. Në këtë intencë është penguar nga njëri nga NP i cili ja ka marrë çelësat e automjetit, e kur qytetari është përpjekur ta braktis vendin e ngjarjes dhe nuk është përgjigjur në vërejtjet e NP, e atëherë NP e ka kapur për dore dhe e ka penguar në intencën. Por, qytetari i cili ka qenë në gjendje të dehur e ka humbur baraspeshën dhe ka rënë në tokë, e për shkak të kësaj PS e ka kapur për veshjet dhe i ka ndihmuar të çohet në këmbë. Qytetari edhe më tej nuk ka qenë i qetë dhe edhe më tej ka vazhduar ta prish rendin dhe qetësinë publike, e pas kësaj është kërkuar intervenimi nga stacioni policor “Karposh”, prej ku kanë ardhur katër kolegë NP, e kanë lidhur qytetarin dhe e kanë shpjerë në stacionin policor.

          Atje qytetari ka qenë i informuar për shkaqet e marrjes dhe është mësuar për të drejtat e tija në pajtim me Kushtetutën dhe aktet ligjore e nënligjore. Njëkohësisht i është bërë edhe testimi i alkoolit (ka dalë se alkooli në organizmin e tij është 2.1 promil). Proces verbalin për testimin e qytetarit për alkool ai nuk ka dashur ta nënshkruajë, pas së cilës në pajtim me dispozitat e Ligjit për siguri të komunikacionit në rrugët ai është dërguar në institucionin medicinal në “Kisella Vodë”, ku i është marrë ekzemplar nga gjaku dhe urina për shkak të analizës.

          Disa ditë pas ngjarjes, qytetari I.D. gjatë bisedës së bërë në lokalet e stacionit policor “Gjorçe Petrov” ka sqaruar se është i befasuar nga informacionet në mediat publike të ndërlidhur me rastin konkret, se NP mbi të nuk kanë përdorur forcë fizike, ka konfirmuar se ka pasur zënkë verbale, por nuk ka mundur të kujtohet për të gjitha detajet, si dhe se ka pasur lëndim të vogël në pjesën e sipërme të dorës së majtë në formë të skuqjes, mirëpo nuk ka mundur të kujtohet se si e ka fituar të njëjtën.

          Nga përgjigja që është marrë mbeten të paqarta disa gjëra vijuese:

- si është e mundshme të ketë qenë i mësuar qytetari për të drejtat e tija në pajtim me normat kushtetuese dhe ligjore, kur edhe vetë NP kanë konstatuar se i njëjti ka qenë në gjendje të alkoolizuar,

- si e ka fituar qytetari I.D. lëndimin e vogël në pjesën e sipërme të dorës së majtë në formë të skuqjes (për të cilën edhe vetë qytetari nuk kujtohet në çfarë mënyrë e ka fituar – së paku ashtu thuhet në përgjigjen e marrë).

          Komiteti i Helsinkit nuk është i habitur nga vendimi që është marrë se nëpunësit policor, në pajtim me autorizimet ligjore kanë ndërmarrë masa përkatëse ligjore dhe theksimet për veprim të pa ligjshëm janë refuzuar si të pa baza. Vendimet e këtilla tanimë paraqesin praktikë për mbrojtjen e nëpunësve policorë nga ana e kolegëve të tyre pranë Sektorit.

          Pas përgjigjes së këtillë që është marrë, Komiteti i Helsinkit thjeshtë është i habitur dhe pyetet me zë se si është e mundshme që nëpunësit policor të kenë vepruar në pajtim me normat dhe rregullat përkatëse ligjore, ndërsa i tërë opinioni ishte i shokuar me veprimin  e tyre sikur ende jemi në kohën e “perëndimit të egër”.

--------------------------------------------------------------------------------

[1] “Atë edhe e aplikova pas kësaj, një grumbull janë në burg, një grumbull janë nëpër gjykata, kështu që si ju kërcënova atë edhe e realizova”. Dhe përgjigja në pyetjen “A vlen kjo edhe për këto zgjedhje?”: - “Vlen edhe për këto zgjedhje, për çdo njërin që do ta shkel ligjin, pavarësisht kush qëndron prapa tij e kështu me radhë, do të ketë probleme serioze”.

[2] Nenet 10-15 nga Ligji për pengimin e korrupsionit që kanë të bëjnë me mjetet buxhetore dhe mjetet e fondeve publike, ndalimi i mjeteve nga burimet jolegale, blerja e votuesve dhe privilegjimi ose diskriminimi pas zgjedhjeve. 

[3] “Në pajtim me nenin 48 të Ligjit për pengimin e korrupsionit (Gazeta zyrtare  e RM nr. 28/02, 46/04, 126/06 dhe 10/08), Komisioni shtetëror për pengimin e korrupsionit në seancën e mbajtur në datën 25.02.2009, nga radha e anëtarëve, njëzëri e zgjodhi Mirjana Dimovskën për kryetare të Komisionit shtetëror për pengimin e korrupsionit. 

Anëtarët e Komisionit Shtetëror për pengimin e korrupsionit vlerësuan se detyra e kryetarit të Komisionit shtetëror deri tani me sukses zbatohet dhe mu për këtë konsiderojnë se i njëjti kryetar duhet ta vazhdojë ta udhëheq Komisionin shtetëror.”  

[4] Neni 242 paragrafi 2 dhe 3: “(2) Nëse organi i shkallës së dytë konstaton se mangësitë e procedurës së shkallës së parë më shpejtë dhe në mënyrë më ekonomike do t’i mënjanojë organi i shkallës së parë, ai me vendim të vetin do ta shlyejë vendimin e shkallës së parë dhe lëndën do t’ia kthejë organit të shkallës së parë për procedim të sërishëm. Në atë rast organi i shkallës së dytë është i obliguar që me vendimin e vet t’ia vë në pah organit të shkallës së parë se në çfarë pikëpamje duhet ta plotësojë procedurën, ndërsa organi i shkallës së parë është i obliguar që në çdo gjë të procedojë në sajë të vendimit të shkallës së dytë dhe pa shtyrje, e më vonë në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të lëndës, të sjell vendim të ri. Kundër vendimit të ri pala ka të drejtë ankese. (3) Kur organi i shkallës së dytë procedon për ankesën e deklaruar kundër vendimit i cili një herë ka qenë i shlyer dhe i kthyer për procedim të sërishëm, duke proceduar lidhur me ankesën, vetë do ta vendos lëndën”.

[5] Neni 52, Ligji për kontestet administrative: “Atëherë kur gjykata do të shlyejë një akt kundër të cilit është iniciuar kontest administrativ, lënda kthehet në gjendjen në të cilën ka qenë para se të miratohet akti i shlyer. Nëse sipas natyrës së çështjes që ka qenë lëndë e kontestit, në vend të aktit të shlyer administrativ duhet të sjellë tjetër, organi kompetent është i obliguar që ta sjell pa shtyrje, e më vonë në afat prej 30 ditësh nga dita e dorëzimit të aktvendimit gjyqësor. Organi kompetent në këtë rast është i obliguar me mendimin juridik të gjykatës, si dhe me vërejtjet e gjykatës në lidhje me procedurën”.


Twitter Facebook
Normal_banner-free-sq Normal___________alb Normal_banner-lgbti Normal_banner-ws-sq Normal_screenshot_2017-10-24_13.29.57