Corner Raporte

Raport mujor për të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedonisë 10 Maj 2010

Prill 2010

1. NGJARJE PUBLIKE DHE SHKELJE TË PARIMEVE DEMOKRATIKE

1.1. Vazhdon diskriminimi i fëmijëve rome

1.2. Vallë a vlejnë në Maqedoni ligjet apo vullneti i pushtetmbajtësve?

1.3. Rasti Brodec: Ku u humb fletëparaqitja e parashtruar penale?

1.4. “Ngrohët”/”ftohët” me lejet për vizitë të burgjeve për Komitetin e Helsinkit 

1.5. Iniciativa për ngritjen e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për ndërtim

2. RASTE POLICORE DHE GJYQËSORE

2.1. E drejta për mjete të njëjta, e drejta për mbrojtje si dhe e drejta për 

gjykim të drejtë – Rasti Dragan Daravellski 

2.2. Trokitja shumëvjeçare e shurdhër nëpër dyert e institucioneve shtetërore – Rasti i Millan Velinovskit, Shkup  

2.3. Gjykimi në afat racional, përvojë pozitive – Rasti Boban Todorovski 

----------------------------------------------------------------------------------

1. NGARJE PUBLIKE DHE SHKELJE TË PARIMEVE DEMOKRATIKE

1.1. Vazhdon diskriminimi i fëmijëve rome

Komiteti i Helsinkit disa herë përmes raporteve të veta mujore informoi për diskriminimin e vazhdueshëm që bëhet mbi fëmijët Romë. Si konfirmim është edhe vërejtja në raportin e Komisionit Evropian kundër diskriminimit racor EKRI se – “Numri i fëmijëve Romë të cilët shkojnë në shkollë ende është i vogël dhe shkalla e braktisjes së shkollës është e lartë. Ende praktikohet segregacioni i nxënësve Romë. Vazhdon praktika e dërgimit të fëmijëve Romë me vështirësi gjatë të mësuarit në institucione speciale për persona me nevoja të posaçme”.[1]

Këtë vërejtje e konfirmoi edhe Avokati i popullit i cili në shkurt të vitit 2010 vizitoi disa shkolla të posaçme fillore, dhe ato ishin ShPF “D-r Zllatan Sremac” dhe “Idnina” të cilat kanë edhe paralele rajonale në disa shkolla fillore në Shkup, ShPF “Sh. Klementi i Ohrit” në Novo Sellë, si dhe në shkollat e mesme për arsim dhe rehabilitim: “Sh. Naumi i Ohrit” në Shkup dhe “Iskra” në Shtip.

Nga informacionet që janë marrë Avokati i popullit ka konstatuar se në shkollat e përmendura të posaçme në Republikën e Maqedonisë ka të përfshirë fëmijë me nevoja të posaçme nga më tepër bashkësi që jetojnë në Republikë, por posaçërisht është i madh numri i fëmijëve nga bashkësia etnike rome. Gjatë kontrollit poashtu është konstatuar se fëmijët nga bashkësia rome jo gjithmonë e kryejnë arsimin fillor dhe se më së sheshti pas përfundimit të klasës së katërt ç’regjistrohen, e këto më shpesh janë fëmijët femra.

Në lidhje me kategorizimin e fëmijëve për regjistrim në shkolla të posaçme, në raportin e Avokatit të popullit është theksuar se kanë njohuri se edhe Ministria e punës dhe e politikës sociale e ka konstatuar ekzistimin e më shumë institucioneve të cilat japin konkludime dhe mendime për llojin dhe shkallën e pengesës dhe nevojat e posaçme të personave me pengesa në zhvillimin, përkatësisht të përcaktohen katër komisione regjionale të cilat do të jenë të autorizuara që të lëshojnë konkludime dhe mendime, si dhe se Ministria për punë dhe politikë sociale dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë janë të njoftuara me gjendjen e konstatuar.

Komiteti i Helsinkit me brengosje sërish i konstaton të njëjtat probleme dhe i rikujton organet kompetente në Konventën për të drejtat e fëmijës në të cilën në mënyrë më të ashpër ndalohet diskriminimi pa marrë parasysh racën, ngjyrën e lëkurës, gjininë, gjuhën, besimin fetar, bindjen politike ose tjetër, prejardhjen kombëtare, etnike ose sociale, gjendjen pronësore, pa aftësinë, prejardhjen ose status tjetër të fëmijës.

Për këtë shkak, i drejtohemi publikisht Ministrisë së punës dhe politikës sociale dhe Qeverisë të Republikës së Maqedonisë me kërkesë për përgjigje për atë se cilat masa janë ndërmarrë nga ana e tyre për rekomandimet me qëllim të mbrojtjes përkatëse të të drejtave dhe të interesave të fëmijëve në këto shkolla, para së gjithash duke e pasur parasysh interesin më të mirë të çdo fëmije veç e veç!

1.2. Vallë a vlejnë në Maqedoni ligjet apo vullneti i pushtetmbajtësve?

Gjatë muajit të kaluar kryeministri i Qeverisë së RM u takua me kryetarët e komunave nga radhët e partisë në pushtet në të cilin ata e informuan për atë që e kanë punuar deri tani.

Kryetarët e komunave nga partia në pushtet kanë themeluar Këshill të kryetarëve të komunave, krahas organizatës ekzistuese të të gjitha komunave – BNjVL. Me Këshillin e këtillë, kryetarët e komunave anëtare obligohen që të bashkëpunojnë vetëm me komunat kryetarë të të cilave janë anëtarë të partisë në pushtet, me sa duket duke harruar se ata janë përfaqësues të të gjithë qytetarëve nga komunat e tyre, e jo vetëm të atyre të cilët i kanë votuar.

Kryetarët e 51 komune i jepnin llogari për atë që kanë punuar dhe e kanë kryer në vitin e kaluar, por edhe për projektet të cilat janë në vazhdë e sipër dhe duhet të realizohen në të ardhmen, dhe e tërë kjo duke mos e pyetur askush veten prej ku kryeministri e merr kompetencën e këtillë?! Vallë – nga ligjet apo në sajë të vullnetit të vet?!

Siç dihet, në funksionin kryetar i komunës personi nuk caktohet nga kryeministri por votohet drejtpërdrejtë nga qytetarët në zgjedhje demokratike, gjë e cila nënkupton se të njëjtit janë përgjegjës dhe kanë obligim për llogaridhënie vetëm para qytetarëve. Në raport me ligjshmërinë në punën, njësitë e vetëqeverisjes lokale përgjigjen para organeve administrative të zgjedhura në sajë të ligjit për ta bërë mbikëqyrjen.

Madje edhe kërkesa e kryeministrit për transparencë në punën e komunave është e rregulluar në mënyrë eksplicite në Ligjin për vetëqeverisje lokale, Ligjin për buxhetet dhe një varg ligje tjera sipas të cilave punojnë njësitë e vetëqeverisjes lokale.

Përkundrazi, asnjë akt juridik në shtetin tonë nuk ja mundëson kryeministrit të drejtën që kryetarët e komunave t’i japi llogari atij personalisht, që e imponon konkluzën se ai është krijuesi i kësaj të drejte. 

Prapëseprapë, rikujtojmë se Republika e Maqedonisë është shtet demokratik në të cilin e drejta duhet të mbizotërojë për të gjithë dhe çdo kund e jo të mbizotërojë vullneti i pushtetmbajtësve, në llogari të të gjithë të tjerëve.

Komiteti i Helsinkit e shpreh brengosjen e vet për gjendjen e zëvendësimit të ligjeve dhe imponimit të vullnetarizmit, me çka rrënohet shteti juridik dhe rrezikohen të drejtat themelore të njeriut dhe të qytetarëve.

1.3. Rasti Brodec: Ku u humb fletëparaqitja e parashtruar penale?

Më 18 mars të vitit 2010 përfaqësues të Komitetit të Helsinkit realizuan takim në Prokurorinë Themelore Publike – Tetovë për fletëparaqitjen e parashtruar nga ana e Komitetit të Helsinkit për rastin Brodec, trajtimi i personave të paraburgosur në aksionin policor.[2]

Vetëm sa për t’u rikujtuar, Komiteti i Helsinkit përgatiti raport në sajë të misionit për përcaktimin e fakteve për aksionin policor[3] dhe pasiqë i shfrytëzoi të gjitha mënyrat dhe mjetet tjera për t’u sqaruar rasti të cilin e konsideron shembull tipik për torturim, e parashtroi padinë penale[4] qysh gjatë vitit 2008 (30 korrik të vitit 2008), pasiqë paraprakisht avokatët e Komitetit të Helsinkit morën autorizime nga të dëmtuarit.

Për fat të keq, edhe pas kalimit të disa viteve, Komiteti i Helsinkit nuk mori as përgjigje, dhe as vendim prokurorie për të njëjtën, kështu që ishim të detyruar që drejtë në vendin në fjalë (PThP) të interesohemi se çka ka ndodhur me fletë paraqitjen tonë penale.

Në takimin na thanë se nuk kanë pranuar dokument të tillë në institucionin e tyre. Mandej pasoi shkresë dërguar PThP – Tetovë,  në të cilën më vonë na dërguan përgjigje se për ngjarjet e ndodhura gjatë vitit 2007 gjatë të ashtuquajturin rast Brodec, nga PThP – Shkup prokurorisë së tyre u janë dërguar aktet për lëndën penale për shkak të procedimit në sajë të kompetencës për parashtresën e Avokatit të Popullit të RM. PThP – Tetovë duke mos pasur bazë të mjaftueshme që të sjell vendim i është drejtuar Sektorit për kontroll të brendshëm dhe standarde profesionale pranë MPB të RM – Shkup për të dhëna plotësuese. Sektori ju ka dërguar raport të veçantë në të cilin midis tjerash është konstatuar se nuk ka keqpërdorim dhe shkelje të autorizimeve nga ana e pjesëtarëve të caktuar të forcave policore, se përdorimi i armëve të zjarrit dhe dhunës fizike nga ana e Policisë ka qenë përkatëse, e baraspeshuar dhe e nevojshme, dhe se edhe personave të privuar nga liria u janë siguruar të gjitha të drejtat në procedurën policore. Informacion të këtillë MPB i dërgoi edhe Komitetit të Helsinkit vetëm disa ditë pas aksionit policor dhe i njëjti për shkak të kundërthënieve të përmbajtura në atë u trajtua në mënyrë të posaçme në raportin tonë.

PThP – Tetovë na informoi edhe për hapat vijuese që janë ndërmarrë me rastin e ngjarjeve të ndodhura gjatë vitit 2007, pas parashtresës së dorëzuar nga Avokati i popullit të RM. Por, në përgjigjen nga PThP – Tetovë nuk ka as fjalë as shenjë nga aktpadia e parashtruar nga ana jonë, e as ndonjë përgjigje konkrete për të njëjtën.

PThP – Tetovë më tej në shkresën thekson se janë ndërmarrë të gjitha veprimet për ndriçimin e plotë të ngjarjes në fjalë, pas së cilës ka vijuar rezolutë në pajtim me nenin 42 paragrafi 3 nga LPP n.l. me nenin 71 paragrafi 1 pika 5 nga Rregullorja për punën e brendshme të Prokurorisë Publike. Në shkresën theksohet edhe se PThP ka ardhur në konkluzën, në pajtim me nenin 35 paragrafi 4 nga ligji për PP, se përdorimi i armëve të zjarrit dhe të forcës fizike nga ana e Policisë ka qenë përkatës, i baraspeshuar dhe i nevojshëm, për shkak të mposhtjes së rezistencës nga banda kriminele e cila ka qenë e armatosur mirë me lloje të ndryshme të armëve të zjarrit dhe ka qenë e vendosur në fshat, si për shkak të mbrojtjes së jetëve të popullatës lokale.

Për shkak të kësaj që theksuam më lartë dhe për shkak të mos marrjes së përgjigjes, pyesim çka ndodhi dhe ku u humb fletëparaqitja e parashtruar penale, dhe për këtë shkak më 23 prill të vitit 2010 Komiteti i Helsinkit të njëjtën sërish ja parashtroi PThP - Tetovë

Komiteti i Helsinkit pret se PThP do të ndërmerr veprim në lidhje me të njëjtën, do të ndërmerr masa dhe veprime në pajtim me normat pozitive ligjore si dhe se parashtruesi i padisë penale do të informohet për rezultatin e të njëjtës, me ç’rast do t’i jepet mundësi juridike dhe bazë për ndërmarrje të hapave të mëtejme.

1.4. “Ngrohët”/”ftohët” me lejet për vizitë të burgjeve nga ana e Komitetit të Helsinkit

Gjatë muajit shkurt opinioni ishte i shokuar nga akuzat të cilat ishin prezantuar për rastet e torturës, dhunimit dhe maltretimit të të miturve në kuadër të Shtëpisë Edukuese-përmirësuese Tetovë, si dhe në rastin e personit Jovan Gjorgjievski i cili papritmas ishte lëshuar nga Shtëpia Ndëshkuese Përmirësuese Idrizovë kinse për shkak të gjendjes së keqe psikike dhe pamundësisë që shtëpia ndëshkuese përmirësuese të kujdeset për të njëjtin. Midis tjerash, Komitetit të Helsinkit i arriti parashtresë me shkrim nga një prej grave të dënuara të cilat shfaqën pakënaqësi të madhe nga kushtet materiale në repartin e femrave në ShNP Idrizovë.

Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut në pajtim me mandatin e vet të veprimit reagoi në adresë të Drejtorisë për përmbarimin e sanksioneve dhe me dy kërkesa të ndara me shkrim kërkoi nga e njëjta që të na mundësojë vizitë në Shtëpinë Ndëshkuese- përmirësuese dhe në repartin e femrave në ShNP Idrizovë, në kuadër të të cilave do t’i kishim hulumtuar rastet dhe theksimet e shprehura, përkatësisht vallë a me të vërtetë bëhet fjalë për shkeljen e të drejtave të të mbrojturëve të Shtëpisë dhe të femrave të dënuara në repartin e femrave.

Kërkesa për lejë për vizitë të Shtëpisë Ndëshkuese-përmirësuese i ishte dërguar Drejtorisë më 2 mars të vitit 2010, ndërsa kërkesa për vizitë të ShNP Idrizovë ishte e dërguar më 18 mars të vitit 2010. Duke i marrë parasysh peshën e akuzave të cilat ishin të shfaqura, Komiteti i Helsinkit disa herë me radhë realizoi edhe biseda telefonike me të punësuarit në Drejtori nga të cilët u informuam se lejen do ta marrim dhe se e njëjta është në fazën e përgatitjes dhe do t’i dërgohet Drejtorit të Drejtorisë që ai ta nënshkruajë.

Pas kësaj, ju dërguan edhe urgjenca Drejtorisë për përmbarimin e sanksioneve në lidhje me të dy kërkesat, mirëpo deri tani të dy kërkesat nuk dhanë rezultat.

Përkundër asaj që Drejtoresha e Drejtorisë për përmbarimin e sanksioneve në opinion flet për “bashkëpunimin e shkëlqyer” me Komitetin e Helsinkit dhe transparencën e tyre për të gjitha çështjet nga kompetenca e tyre, që dorën në zemër pjesërisht edhe është e saktë – për shkak se në raste tjera lejet janë marrë shpejtë dhe lehtë, më se e dukshme është heshtja nga ana e tyre dhe injorimi i plotë i kërkesave tona për këto raste.

Dyert e Shtëpisë Edukuese-përmirësuese dhe të ShNP Idrizovë mbetën TË MBYLLURA për përfaqësuesit e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut, dhe kësaj radhe nuk u morën parasysh as dispozitat eksplicite të Ligjit për përmbarimin e sanksioneve për obligimin që Drejtoria për përmbarimin e sanksioneve të bashkëpunojë me organet shtetërore, institucione shkencore dhe të tjera dhe shoqata dhe persona tjerë juridik në drejtim të përmirësimit të kushteve për përmbarimin e sanksioneve.

Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut është i brengosur për shkak të trajtimit jo të barabartë të kërkesave tona, gjë e cila jo vetëm që nuk shkon në favor të mbrojtjes së të drejtave të personave të dënuar, por lë vend për dyshime se prapa vizitave të pa lejuara fshihet diçka më serioze nga ajo deri te ne dhe deri te opinioni arriti si informacion. Sinqerisht shpresojmë se deklarimet publike nga ana e Drejtores së Drejtorisë për përmbarimin e sanksioneve për bashkëpunimin e ekzistues të shkëlqyeshëm në të ardhmen do të jenë realitet pa dallim të rasteve për të cilat kërkohet leje për vizitë.

1.5. Iniciativa për ngritjen e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për ndërtim 

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, në seancën e mbajtur më 28 tetor të vitit 2009 e solli Ligjin për ndërtim, i cili është botuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë nr. 130/2009 të të njëjtës ditë, dhe ka hyrë në fuqi në datën 4 nëntor të vitit 2009. 

Nenet 138 paragrafët 4, 5, 6, 7 dhe 8[5] nga Ligji për ndërtim paraqesin  shkelje të drejtpërdrejtë të dispozitave të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë dhe të Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut, të ratifikuar nga Republika e Maqedonisë, dhe ate në nenin 8 paragrafi 1 alineja 1, 3 dhe 6, neni 30 nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë dhe neni 1 Protokolli 1 nga Konventa Evropiane për të drejtat e njeriut.

Duke u nisur nga e drejta vendore pozitive[6] Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut i Republikës së Maqedonisë parashtroi iniciativë për ngritjen e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit të theksuar më lartë nga Ligji për ndërtim dhe kërkoi nga Gjykata Kushtetuese të sjell Vendim për ngritjen e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit të theksuar më lartë nga ligji, e pas procedurës së realizuar të sjellë Vendim për shlyerjen e të njëjtit nen për shkak të kundërshtimit së tij me nenin 8 dhe nenin 30 nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë.

Si shkaqe për kontestim Komiteti i Helsinkit u mbështet me sa vijon: Konfiskimi si nocion është i rregulluar në Kodin Penal, neni 97 paragrafi 1, 2 dhe 3, ku parashihet se “Përfitim pronësor nga paragrafi 1 do të konfiskohet me vendim gjyqësor me të cilin është konstatuar kryerje e veprës penale nën kushtet e parapara me këtë ligj.”

Nga ana tjetër neni 30 nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë e garanton të drejtën e pronësisë. Kushtetuta poashtu parashikon se prona dhe të drejtat që burojnë nga ajo, askujt nuk mund t’i merren ose t’i kufizohen, përveç në rastin kur bëhet fjalë për interes publik të përcaktuar me ligj, dhe atë vetëm dhe ekskluzivisht në rast të eksproprijimit të pronës, ndërsa për eksproprijimin e realizuar garantohet edhe zhdëmtim i drejtë i cili nuk mund të jetë më i ulët se sa vlera e tregut.

E drejta e pronësisë është e garantuar edhe me nenin 1 Protokolli 1 paragrafi 1 i Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut, të ratifikuar nga Republika e Maqedonisë, ku është theksuar: “Çdo person fizik ose juridik ka të drejtë për gëzimin e pa penguar të pronësisë së tij. Askush nuk do të privohet nga pronësia e tij përveç se kur kjo është në interes publik dhe nën kushte të përcaktuara me ligj dhe parimet e përgjithshme të të drejtës ndërkombëtare.”

Komiteti i Helsinkit pret që Iniciativa të miratohet nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë, me ç’rast i njëjti në afat sa më shkurt të mundshëm t’i shlyejë dispozitat e kontestuara nga Ligji.

2. RASTE POLICORE DHE GJYQËSORE

2.1. E drejta për mjete të njëjta, e drejta për mbrojtje si dhe e drejta për gjykim të drejtë – Rasti Dragan Daravellski 

Prokuroria Themelore Publike – Shkup pas hetimit të realizuar në datën 18.04.2005 ka parashtruar Akt akuzë kundër personit Dragan Daravellski nga Kumanova dhe personit K. D. poashtu nga Kumanova për veprën e kryer penale “Keqpërdorim i pozitës dhe të autorizimeve zyrtare” në pajtim me nenin 353 paragrafi 3 n.l. me paragrafin 1 n.l. me nenin 22 dhe nenin 45, ndërsa ndaj të akuzuarit të dytë edhe një aktakuzë tjetër për veprën “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” në pajtim me nenin 361 paragrafi 1 n.l. me nenin 45 nga KP.

Akuza është e ndarë në dy pjesë dhe atë veprime të cilat sipas PThP janë ndërmarrë në vitin 2001 dhe veprime që janë ndërmarrë gjatë vitit 2002. Prokurori, në të vërtetë, thekson se të akuzuarit në sajë të marrëveshjes paraprake, pa ekzistimin e bazës juridike i kanë ndarë automjete një shoqërie të caktuar me përgjegjësi të kufizuar, NP publike për ekonomizim me objekte sportive, si dhe 24 komunave në shtet, mandej janë transferuar mjete për pagesë të personave fizik, të cilën nuk kanë qenë të angazhuar me angazhim punues, për kryerje të punëve në Drejtorinë Doganore (DD), me telegram në mënyrë të paligjshme i ka obliguar njësitë doganore në RM, mjetet në baza të ndryshme në vend Buxhetit të RM t’i paguajnë në llogarinë depozituese të DD, që mandej, pasi ka siguruar të ardhura të mjeteve në para, ka sjell vendime me të cilat e ka autorizuar veten që të ndajë para për sponzorizime dhe ndihmë financiare, duke i tejkaluar kufijtë e autorizimeve të veta zyrtare, kanë nënshkruar urdhëresa në dëm të buxhetit të RM.

Z. Daravellski ngarkohet si person zyrtar i Drejtorisë së doganave edhe se me veprimet që i ka ndërmarrë, në sajë të marrëveshjes paraprake, e ka dëmtuar buxhetin e RM.

Me Vendim gjyqësor të Gjykatës Themelore Shkup 1 – Shkup të miratuar dhe publikisht të shpallur në datën 17.05.2007, i akuzuari i parë Daravellski është shpallur fajtor për veprën penale Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimeve zyrtare sipas nenit 353 paragrafi 3 n.l. me paragrafin 1 n.j. me nenin 22 dhe nenin 25. I njëjti është dënuar me dënimin burgim në kohëzgjatje prej 7 vjet, me ç’rast i është shqiptuar edhe masa e sigurisë Ndalim i kryerjes së profesionit, veprimtarisë ose detyrës në kohëzgjatje prej 5 vite. Me të njëjtin aktvendim gjyqësor të akuzuarve ju është konfiskuar edhe përfitimi pronësor në shumë të tërësishme në para prej 103.575.167.00 denarë.

Arsyetimi i gjykatës është se i akuzuari i parë Daravellski dhe i akuzuari i dytë në sajë të marrëveshjes paraprake, si persona zyrtarë, përmes shfrytëzimit të pozitës dhe autorizimeve të veta zyrtare, duke bërë blerjen e 75 automjeteve motorike, duke mos ekzistuar me këtë rast vendim i Drejtorisë doganore për nevojën për blerjen e automjeteve, pa shpalljen e tenderit publik për blerjen e automjeteve, pa kontraktimin e marrëveshjeve të drejtpërdrejta për sasinë, llojin dhe çmimin e automjetit dhe nga i njëjti furnizues, pa sigurimin paraprak të mjeteve nga Ministria e financave pranë Qeveria e Republikës së Maqedonisë, me dhënien e 27 nga automjetet e blera pa Vendim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, me transferimin e mjeteve pa marrëveshje të kontraktuar paraprakisht në emrin e më shumë personave fizik që nuk kanë pasur kontratë në vepër, dhe për kinse punëve të kryera përkohësisht ose kohë pas kohe për nevojat e DD, dhe e tërë kjo në dëm të Buxhetit të RM në vitin 2001 dhe 2002 kanë siguruar kanë realizuar përfitim të konsiderueshëm pronësor prej 103.575.167.00 denarë.

Duke mbetur të pakënaqur nga aktvendimi gjyqësor, të akuzuarit[7] kanë parashtruar ankesa, por me aktvendimin gjyqësor të gjykatës së shkallës së dytë të njëjtat janë refuzuar si të pabaza, ndërsa vendimi gjyqësor i shkallës së parë është konfirmuar. Nga të akuzuarit është parashtruar kërkesë për mjet të jashtëzakonshëm juridik – Rishqyrtim i jashtëzakonshëm i vendimit të plotfuqishëm gjyqësor, për të cilin, pa marrë parasysh se është parashtruar qysh në vitin 2008, Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë ende nuk është prononcuar.

Komiteti i Helsinkit pasi i morri dokumentet e nevojshme konstatoi se z. Daravellskit nuk i është respektuar e drejta për fer procedurë dhe gjykim të drejtë, e me këtë rast duke e pasur parasysh zbatimin praktik dhe shpjegimin e nenit 6 nga Konventa Evropiane për të drejtat e njeriut. Për fat të keq, organi gjyqësor i shkallës së parë ka bërë shkelje të mëdha gjatë procedurës, këto janë:

- mos mundësimi i të drejtës për mbrojtje qysh gjatë procedurës hetimore, avokatëve të autorizuar (neni 63 paragrafi 3[8] nga LPP) nuk ju është lejuar prania gjatë marrjes në pyetje të akuzuarit të dytë gjatë hetimit me arsyetim se i akuzuari është në arrati, dhe i njëjti nuk është i pranishëm që ta shfaq vullnetin e tij për atë cilin angazhon si mbrojtës dhe a do të angazhojë mbrojtës apo jo 

- mos lejimi i të akuzuarit të parë të japë mbrojtje, përkatësisht të merret në pyetje në procedurën hetimore, edhepse i njëjti e ka informuar gjykatën se për shkaqe shëndetësore gjendet për shërim në botën e jashtme dhe për shkak të natyrës së sëmundjes nuk është në gjendje të paraqitet në gjykatë dhe ta jep mbrojtjen, por menjëherë kur gjendja e tij do të përmirësohet do të paraqitej në gjykatë, pa marrë parasysh se i njëjti gjykatës i ka dërguar lajmërim me të cilin e ka informuar gjykatësin për adresën në të cilën jeton në Serbi, shtetasi i të cilës është dhe ku legalisht ka qëndruar nga vitit 2002, që do të thotë se i akuzuari i parë nuk gjendej në arrati dhe se akuzuari i parë është në dispozicion në të njëjtën adresë, por të gjitha këto përpjekje gjykata i ka injoruar

- llogaritja e të akuzuarit si i pa qasshëm, edhepse i njëjti në mënyrë të rregullt me parashtresa e ka informuar gjykatën për qasshmërinë dhe adresën e tij ku jeton 

- mos mundësimi dhe mos lejimi i mbrojtësve që të shikojnë aktet e lëndës me të cilën gjë është shkurtuar e drejta e mbrojtësve që ta kryejnë obligimin e vet, parashtresat e tyre gjykatësi hetues nuk i ka marrë parasysh (në kundërshtim me nenin 69[9] nga LPP, Gaz. zyrtare numër 15/97)

- vazhdimi i masës paraburgim me vendimin e datës 13.01.2006 (masë e cila paraprakisht vetëm një herë është caktuar me vendimin e datës 29.05.2003), që nuk është vazhduar madje edhe pas aktit të ngritur paditës të datës 18.04.2005, me propozimin e PThP – Shkup, pas 2 vite dhe 7 muaj të plotë nga caktimi i parë dhe 9 muaj nga ngritja e aktit, domethënë pas kalimit të afatit ligjor prej 30 ditë (në kundërshtim me nenin 189 paragrafi 3[10] dhe nenin 257 nga LPP) 

- gjykata nuk ja ka dorëzuar aktin e akuzës të akuzuarit (pa marrë parasysh se i njëjti disa herë e ka informuar gjykatën për adresën e tij të saktë në R. të Serbisë), pas së cilës ka filluar seanca kryesore gjyqësore, përkatësisht para hyrjes në fuqi juridike të aktit të akuzës, ka filluar dhe është zbatuar procedura gjyqësore 

- gjykimi i të akuzuarit të parë në mungesë të tij, me arsyetim të ekzistimit të rrezikut për vjetrimin e veprës (në kundërshtim me nenin 107 alineja 3[11] nga KP – vjetrimi i këtij lloji të veprave penale ndodh për 10 vjet nga kryerja e veprës) 

- përcaktohet përgjegjësi, në kuptim se si janë shpenzuar mjetet dhe nga cilat llogari, por nuk jepet përgjigje kush është i dëmtuar, me çfarë shume dhe çfarë lartësie, përkatësisht në dobi të kujt është shkaktuar dëmi

të cilat shkelje organi gjyqësor i shkallës së dytë vetëm i ka konfirmuar duke mos i pasur parasysh në këtë rast të drejtën për mjete të njëjta, të drejtën për mbrojtje si dhe të drejtën për gjykim të drejtë të cilat janë një nga principet themelore dhe parimet e nenit 6 paragrafi 1 nga Konventa.

Komiteti i Helsinkit pret që Gjykata Evropiane për të drejtat e njeriut ta sheh shkeljen, të njëjtën ta konstatojë ndërsa i akuzuari do të ketë mundësi që sërish procedurën ta përsërit para organeve vendore.

Komiteti i Helsinkit njëkohësisht vë në pah se edhe pritja prej më shumë se dy vjet, që Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë të vendos për mjetin e jashtëzakonshëm juridik poashtu do të thotë shkelje të të drejtës për gjykim të drejtë dhe gjykim në afat racional, për shkak të të cilës e këshillon palën që pranë të njëjtës gjykatë të parashtrojë Kërkesë për gjykim në afat racional.

2.2. Trokitja shumëvjeçare e shurdhër nëpër dyert e institucioneve shtetërore – Rasti i Millan Velinovskit, Shkup

Komiteti i Helsinkit nga ana e z. Millan Velinovski u informua se më 5 nëntor të vitit 2004 i ka parashtruar fletëparaqitje Ministrisë së punëve të brendshme, në emrin e ministrit të atëhershëm z. Siljan  Avramovski kundër personit S.S. nga Manastiri, i punësuar në MPB të RM, në Kuvendin e RM, në sigurimin e presidentit të RM. Fletëparaqitje të tillë të njëjtë i ka parashtruar edhe z. Lubomir Mihajllovski – ministër i punëve të brendshme (e parashtruar më 1 qershor të vitit 2005) dhe personalisht z-njës Gordana Jankullovska dhe atë në datën 24 prill të vitit 2007. 

Përmes fletëparaqitjes së dorëzuar MPB-ja ka qenë e informuar se personi S. S. e ka mashtruar (i ka marrë para, të cilat mandej nuk ja ka kthyer) dhe për shkak të kësaj edhe ka parashtruar fletëparaqitje, fillimisht në SP Gjorçe Petrov, ku e kanë udhëzuar që t’i drejtohet stacionit policor të Qendrës. Prej aty është udhëzuar që t’i drejtohet personalisht ministrit me arsyetim se bëhet fjalë për koleg të tyre përkatësisht për pjesëtar të MPB, dhe ministria, siç i kanë thënë, është kompetente të procedojë për këtë lloj të fletëparaqitjeve.

Në parashtresën pala thekson se pa marrë parasysh se fletëparaqitjen e ka parashtruar që gjatë vitit 2004 (drejtuar z. Avramovski), gjatë vitit 2005 (drejtuar z. Mihajllovski) dhe gjatë vitit 2007 (drejtuar z-njës Jankullovska), por deri në vitet 2009/2010 nga ana e tyre nuk ka marrë informacion kthyes se cilat veprime janë ndërmarrë, përkatësisht nëse është parashtruar fletëparaqitje penale kundër personit S. S. nga ana e PThP - Shkup.

Komiteti i Helsinkit, pas shqyrtimit të dokumenteve të parashtruara, ju drejtua me shkresë stacionit policor Qendër me kërkesë që të informohet për masat dhe veprimet që janë ndërmarrë nga ana e tyre, e që është e ndërlidhur me ngjarjen e paraqitur. Pas bisedës telefonike, nga ana e tyre u informuam se tek ata nuk ka fletëparaqitje kundër personit S. S., dhe na udhëzuan që t’i drejtohemi Ministrisë së punëve të brendshme.

Mandej me shkresë ju drejtuam Ministrisë së punëve të brendshme – Shkup dhe kërkuam që të na informojnë për rastin. Nga Sektori u kërkua që t’u dërgohen të dhëna plotësuese si dhe fletëparaqitja të cilën pala e ka parashtruar që nga viti 2007. Me shkrim tjetër Sektori u informua në mënyrë të detajuar për rastin, dhe pas kësaj në datën 12 prill të vitit 2010 është marrë përgjigje nga ana e tyre se fletëparaqitja e parashtruar nga pala është ri-dërguar në ShPB – Manastir për informim të tyre dhe për veprim të mëtejmë.

Pala është udhëzuar që t’i drejtohet ShPB – Manastir dhe të informohet për masat dhe veprimet që janë ndërmarrë nga ana e tyre për zbardhje të rastit.

Komiteti i Helsinkit mbeti i habitur nga përgjigja që e ka marrë dhe e cila është kërkuar një kohë të gjatë, por ende çështja ka mbetur e hapur, sepse z. Velinovski për këtë periudhë kohore nga viti 2004 nuk ka marrë kurrfarë përgjigje kthyese, për masat dhe hapat që janë ndërmarrë nga MPB ose ShPB – Manastir. Njëlloj është se cili organ do të kishte bërë veprime, por me rëndësi është që veprimi të bëhet, dhe pala të informohet për këtë. Ose, me sa duket këtu bëhet fjalë për diçka më të thellë. Mbetet të paragjykojmë se e tërë çështja është fshehur qëllimisht, për shkak se bëhet fjalë për fletëparaqitje kundër kolegut polic!

Pa marrë parasysh që rasti, në mënyrë të rregullt është paraqitur në kohë në institucionet shtetërore, z. Velinovski ka qenë i udhëzuar të shkojë nga njëri institucion në tjetrin, pa efikasitet, ndërsa tani kur kanë kaluar 6 vite, z. Velinovski nuk dinë se çka është ndërmarrë, e as çka dhe cilat mjete juridike mund t’i ndërmerr, kur të gjitha afatet e mundshme për çfarë do qoftë ndërmarrje juridike të hapave është vjetruar. Kjo i vjen si proverba popullore “E ke të drejtën, por unë nuk ta japi”, sepse qasjen në të njëjtën e ke të penguar (në rastin konkret) pikërisht nga organi shtetëror i cili duhet të të mbrojë?

2.3. Gjykimi në afat racional, përvojë pozitive – Rasti Boban Todorovski  

Komiteti i Helsinkit nga z. Todorovski u informua se më 5 prill të vitit 1996 ka parashtruar kërkesë për njohjen e cilësisë invalid lufte në periudhën e paqes të cilën ja ka adresuar Ministrisë së punës dhe të politikës sociale – Drejtoria Republikane për çështje të luftëtarëve dhe të invalidëve të luftës – Shkup. Më 14 qershor të vitit 1996 organi i shkallës së parë ka sjellë Vendim me të cilin kërkesa është refuzuar si e pa bazë me arsyetim se te pala është konstatuar sëmundje, por Komisioni ka konsideruar nuk ka bazë për përcaktimin e invaliditetit të luftës përkatësisht se pala nuk ka invaliditet lufte. Me këtë rast nga ky komision vihet në pah se nuk ka qenë i përmbushur kushti nga neni 10 nga Ligji për të drejtat e invalidëve të luftës, të anëtarëve të familjeve të tyre dhe të anëtarëve të familjeve të luftëtarëve të rënë sipas të cilit dëmtimi i organizmit duhet të jetë më së paku 60%.

Pala ka parashtruar ankesë, ndërsa organi i shkallës së dytë[12] me Vendim e ka refuzuar si të pabazë. Pala ka ngritur Aktpadi për kontest gjyqësor para Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë, e cila në seancë të njëjtën e ka marrë parasysh, vendimin e kontestuar e ka shlyer dhe ka dhënë udhëzime konkrete që duhet të ndërmerren nga organi i shkallës së dytë.

Nga ky moment pala disa herë parashtron ankesa në vendimet e organit të shkallës së dytë[13], ndërsa Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë të njëjtat me vendime gjyqësore[14] i ka shlyer dhe lëndën e ka kthyer për shqyrtim dhe vendosje të sërishme, me të njëjtin arsyetim dhe udhëzim se duhet të bëhet analizë më komplete për shërimin dhe datat prej kur të njëjtat zgjasin.

Meqë ka mbetur i pa kënaqur nga Vendimi i shkallës së dytë nr. 12-609/2 i datës 29 shtator të vitit 2006 të miratuar nga ministria, ai ka ngritur Aktpadi për kontest gjyqësor në adresë të Gjykatës Administrative të Republikës së Maqedonisë, e cila në seancën e mbajtur 2 qershor të vitit 2009 me Aktvendimin gjyqësor U. nr. 2235/2007 aktpadinë tani të parashtruar e ka refuzuar si të pabazë me arsyetimin se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për njohjen e cilësisë së invaliditetit ushtarak në kohë paqeje, përkatësisht se nuk ka qenë i respektuar afati për parashtrimin e kërkesës nga ana e palës.

Komiteti i Helsinkit pasi i ka marrë dhe i ka shqyrtuar dokumentet e nevojshme konkludon se Gjykata Supreme e RM tanimë pesë herë ka vendosur për çështjen juridike të ngritur nga pala, me ç’rast katër herë e ka miratuar ankesën, vendimet i ka shlyer, ndërsa lëndën e ka kthyer për shqyrtim dhe vendosje të sërishme. Gjykata Administrative e Republikës së Maqedonisë duke vendosur për herë të pestë, duke mos i marrë parasysh theksimet dhe udhëzimet e dhëna në procedurën paraprake që është realizuar para Gjykatës Supreme të RM e në pajtim me dëshmitë dhe faktet plotësisht të njëjta ka vendosur në dëm të palës, përkatësisht aktpadinë e ka refuzuar si të pabazë. Nëse aktpadia ka qenë e pabazë, të njëjtën Gjykata Supreme e RM ka mund qysh gjatë shqyrtimit dhe procesuimit të parë ta refuzojë me çka pala nuk do të pësonte dëm, e njëkohësisht procedura nuk do të zgjaste 13 vjet të plota, gjë e cila nuk do të sillte në zgjatjen tejet të gjatë të procedurës.

Z. Todorovski ka qenë i udhëzuar të parashtrojë Kërkesë për mbrojtje të të drejtës për gjykim në afat racional në adresë të Gjykatës Supreme të RM në pajtim me nenin 4 nga Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për gjykatat, me ç’rast i është ndihmuar për përpilimin e të njëjtës kërkesë. Njëkohësisht ju ndihmua edhe gjatë plotësimit të Aplikacionit për shkelje të nenit 6 paragrafi 1 në lidhje me nenin 13 nga Konventa Evropiane për të drejtat e njeriut të parashtruar para Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut, për zgjatjen tejet të gjatë të procedurës.

Në datën 19 prill të vitit 2010 z. Todorovski na informoi se Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë ka sjellë Vendim me të cilin kërkesa i është miratuar, është konstatuar shkelje  e të drejtës për gjykim në afat racional me ç’rast është sjellë vendim për zhdëmtim të drejtë si parashtrues të kërkesës.

Komiteti i Helsinkit e përshëndet Vendimin e miratuar dhe e inkurajon Gjykatën Supreme të Republikës së Maqedonisë që edhe më tej pozitivisht të vendos gjatë rasteve të këtilla eksplicite të shkeljes së të drejtës për gjykim në afat racional.

--------------------------------------------------------------------------------

[1] http://www.sobranie.mk

[2] Gjatë mëngjesit më 7 nëntor të vitit 2007 nga Ministria e Punëve të brendshme u realizua aksioni policor i pagëzuar “Stuhia malore”. Në aksionin u vranë gjashtë persona, ndërsa pas realizimit të të njëjtit u paraburgosën/privuan nga liria trembëdhjetë persona. Sipas të dhënave të kushërinjve, personat kanë qenë të privuar nga liria rreth orës 15, ndërsa sipas Informacionit zyrtar të MPB, pas privimit nga liria personat janë shpjerë në stacionin policor “Gazi Babë”, rreth orës 18. Në orën 18:30 është thirrur Ndihma e shpejtë me qëllim të dhënies së ndihmës përkatëse mjekësore, ndërsa pesë persona janë dërguar në Qendrën Urgjente më qëllim të dhënies së ndihmës përkatëse mjekësore për shkak se kanë pasur lëndime të karakterit të tillë, shërimi i të cilave nuk mund të bëhej në mënyrë ambulatore. Të gjitha personat të cilët janë shëruar në Qendrën Urgjente kanë dëshmi për lëndimet e përfituara trupore. Në ditët pas kësaj u paraqitën fillimisht fotografi, mandej edhe video incizime të incizuara me telefon celular të një pjese të personave të privuar nga liria nga të cilat më se e dukshme është përdorimi i fuqisë – ishin të dukshme qartë lëndimet në kokë deri në atë masë që vështirë mundej të përcaktohet identiteti i të privuarve nga liria.

[3] http://www.mhc.org.mk/default-mk.asp?ItemID=E39D1C7DCF6988449832BA16DAC1D8BC&arc=1

[4] Padia penale për “Torturim dhe veprim tjetër ose ndëshkim të vrazhdët, jonjerëzor ose poshtërues” dhe “Maltretim në kryerjen e shërbimit” për pjesëtarët e policisë në aksionin “Stuhia malore”.

[5] Neni 138 paragrafët 4, 5, 6, 7 dhe 8 nga Ligji për ndërtim: 

4) Me regjistrimin e të drejtës hipotekare dhe shqiptimi i penaleve shtyhet e drejta e realizimit të përmbarimit të dhunshëm të vendimit për afat jo më të gjatë se tre vjet nga dita e miratimit të vendimit. 

5) Nëse i obliguari nuk e përmbush obligimin për mënjanimin ose harmonizimin e ndërtimit me lejen për ndërtim në afatin e përcaktuar në vendimin dhe/ose nuk paguan penale tre muaj me radhë, organi kompetent do t’i qaset përmbarimit të dhunshëm me fitimin e pronësisë se truallit dhe që objektit – pjesa që është e ndërtuar me lejen për ndërtim, nëse i tillë është gjetur në mënyrën dhe procedurën në pajtim me këtë ligj. 

6) Transferimi i të drejtës së pronësisë të truallit nën hipotekë dhe objektit – pjesës që është ndërtuar me lejen për ndërtim bëhet regjistrimi në librat publike në sajë të konkluzionit të posaçëm për përmbarim të inspektorit kompetent. Konkluzioni për përmbarim paraqet edhe bazë për ndërrim të investitorit në lejen për ndërtim dhe lejen për përdorim në raport me pjesën e objektit i cili është i ndërtuar me leje për ndërtim, por është gjetur gjatë përmbarimit. 

7) Kundër konkluzionit nga paragrafi 6 të këtij neni është e lejuar ankesë e posaçme e cila nuk e shtyn përmbarimin e dhunshëm.  

8) Nëse i obliguari e përmbush obligimin për mënjanim të përcaktuar me vendimin dhe nëse i paguan penalet, pushon e drejta hipotekare dhe inspektori kompetent sjell konkluzë e cila paraqet bazë për shlyerjen e të drejtës hipotekare në Librin Publik të patundshmërive.

[6] Neni 12 nga Rregullorja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë.

[7] Të parashtruara nga mbrojtja e të akuzuarve, nga familjarët e të akuzuarit 

[8] (3) Mbrojtës i të akuzuarit mund t’i sigurojnë edhe i autorizuari i tij ligjor, shoku martesor ose jashtë martesor, kushëriri në sajë të gjakut në linjë të drejtë, adoptuesi, i adoptuari, vëllai, motra dhe ai që e ushqen.

[9] Kur është dërguar kërkesa nga paditësi i autorizuar për inicimin e procedurës penale, si dhe kur gjykatësi hetues para sjelljes së vendimit për realizimin e hetimit do të zbatojë veprime të nevojshme hetimore, mbrojtësi ka të drejtë t’i sheh aktet dhe sendet tjera të grumbulluara që shërbejnë si dëshmi.

[10] (3) Paraburgimi mund në sajë të vendimit të këshillit (neni 22 paragrafi 6) të vazhdohet për më shumë 60 ditë. Kundër vendimit të këshillit është e lejuar ankesë e cila nuk e ndal zbatimin e vendimit.

[11] Vjetrimi i përndjekjes penale – Neni 107

(1) Nëse me këtë ligj nuk është përcaktuar ndryshe, përndjekja penale nuk mund të ndërmerret kur do të kalojnë:

3) dhjetë vjet nga kryerja e veprës penale për të cilën ligji mund të shqiptojë dënim mbi pesë vjet,

[12] Ministria e punës dhe e politikës sociale 

[13] Vendimi nr. 12-961/3 i datës 27.10.1998; Vendimi nr. 12-847/2 i datës 17.11.2000 dhe Vendimi nr. 12-546/6 i datës 01.07.2003  

[14] Aktvendimi gjyqësor U. nr. 3100/98 i datës 10.05.2000; Aktvendimi gjyqësor U. nr. 2199/2000 i datës 11.12.2002 dhe Aktvendimi gjyqësor U. nr. 2110/03 i datës 16.03.2006.


Twitter Facebook
Normal_banner-free-sq Normal___________alb Normal_banner-lgbti Normal_banner-ws-sq Normal_screenshot_2017-10-24_13.29.57